25 mijë familje në Kosovë varen nga ndihma sociale, mbi 100 mijë punëkërkues!

Edhe 20 vite pas luftës dhe 11 vite pas pavarësisë, për Kosovën problem i madh po qëndron varfëria dhe papunësia e madhe.

Mbijetesa e 25 mijë familjeve në Kosovë varet nga ndihma sociale, mbi 100 mijë punëkërkues

Edhe 20 vite pas luftës dhe 11 vite pas pavarësisë, për Kosovën problem i madh po qëndron varfëria dhe papunësia e madhe. Shkalla e papunësisë në Kosovë është ende e lartë, sipas të dhënave të Agjencisë të Statistikave të Kosovës, afër 160 mijë apo 31.4 për qind e personave të aftë për punë, janë në pritje të një vendi të punës.

Ndërsa, në një përgjigje zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për lajmi.net thuhet se të regjistruar në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës janë aktualisht 103 mijë persona punëkërkues të regjistruar.

Më tutje, lajmi.net ka kërkuar nga MPMS skemën e Ndihmës Sociale (SNS) që funksionon në kuadër të kësaj ministrie për të parë se cili është numri i familjeve në Kosovë që varet nga kjo skemë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë saktësisht, 24.995 familje, ose 102,035 anëtarë të familjes që përfitojnë nga skema e ndihmës sociale, e kjo përkthyer në para për një muaj buxhetit të Kosovës kjo i kushton 2,667,502.50 euro.

Të pyetur nga lajmi.net nëse ndihma sociale është e mjaftueshme për një familje në Kosovë që të mbijetojë kur nuk ka asnjë të ardhur tjetër, nga MPMS janë shprehur se kjo ndihmë sociale është e rëndësishme, por jo e kënaqshme, sidomos për familjet me më shumë se 3 anëtarë.

“Ndihma sociale është burim i rëndësishëm i të hyrave materiale për të mbijetuar për familjet që jetojnë në varfëri në Kosovë. Mirëpo shkalla e mjaftueshmërisë së ndihmës sociale, apo e mbulimit të shpenzimeve elementare për jetë për një familje nuk është e kënaqshme, sidomos për familjet që kanë më shumë se tre anëtarë”, thuhet në përgjigjen e MPMS.

 Shih tabelën e mëposhtme: Shuma mujore e ndihmës sociale sipas anëtarëve të familjes:

Një familje me një anëtar, përfiton 60 euro nga Skema e Ndihmës Sociale, një familje me 5 anëtarë përfiton 45 euro më shumë, pra 105 euro nga SNS, familja me 10 anëtarë përfiton 142.5 euro, e ajo me 15 anëtarë përfiton 180 euro.

Siç ka qartësuar ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, shuma mujore e ndihmës sociale për një familje përcaktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kostos së çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit, e cila rregullohet me akt nënligjor të cilin e nxjerr ministria.

Kjo i bie që personi i vetëm, familja një-anëtarëshe merr 60 euro në muaj (minimalja), dhe familja me 15 anëtarë (maksimalja) për një muaj merr 180 euro në muaj.

Përveç kësaj ndihme bazë, familjet përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale (SNS), për çdo fëmijë të moshës 0 – 18 vjeç merr edhe nga +5 euro në muaj si formë e shtesës për fëmijë, siç thuhet në përgjigjen e MPMS, me qëllim të nxitjes së arsimimit dhe përmirësimit të shëndetit të tyre.

Po ashtu, u subvencionohet një sasi e energjisë elektrike deri në 300 KËh në muaj.

Numri i familjeve të regjistruara si raste sociale në Kosovë nga viti 2008 deri në mars të vitit 2019 ka ndryshuar ndër vite.

Nga 34,307 familje sa ishte në vitin 2008, shkalla më e lartë është arritur në vitin 2010, saktësisht 35,791 familje, e deri në muajin mars, ku është regjistruar shkalla më e ultë e familjeve përfituese të rasteve sociale, saktësisht 24,995 familje.

Shih tabelën e mëposhtme: Numri i familjeve dhe anëtarëve të familjes dhjetor 2008 – mars 2019:

Ministria ka sqaruar se në reduktimin e numrit të familjeve për periudhën dhjetor 2008 – mars 2019 ndër vite, duhet marrë parasysh edhe krijimin e skemave të tjera sociale që janë funksionalizuar nga MPMS gjatë kësaj periudhe ku një numër i shfrytëzuesve të SNS kanë kaluar në këto Skema.

Pra, në Kosovë, mbijetesa e afër 25 mijë familjeve varet nga Skema e Ndihmës Sociale, saktësisht 102,035 anëtarë.

Dhe sigurisht, shkalla e lartë e papunësisë prej 31.4 vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore të Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi